E bukura e harruar/ Fshati i Treblovës vuan mungesën e investimeve. Banorët: Askush nuk kujtohet për ne


Fshati Treblovë në Vlorë po vuan mungesën e investimeve. Banorët e mbetur ankohen për rrugën, ujin e prodhimet që nuk u shiten. Treblova ka një natyrë të bukur, por jeta e banorëve që jetojnë aty nuk është e tillë.

Në fshatin e Selenicës nuk është investuar prej dekadash. Mungesa e rrugës është shqetësimi kryesor i banorëve. “Në këtë fshat këty është shumë e vështirë të jetosh”, thotë një banor.

Janë 10 kilometra rrugë, por dorë mbi të nuk është vënë kurrë. “Problemi kryesor është rruga që nuk është rrugë”, thotë banori. Të gjithë merren me bujqësi. Kanë investuar në mbjelljen e dhjetëra hektarëve pemë, kryesisht ullinj.

Por prodhimit të mbarë nuk i janë gëzuar asnjëherë për shkak të mungesës së tregut. “Po të shikosh gjithë këta plantacionet këtu janë plot me ullinj dhe nuk tregtihet asgjë fare. Nuk ke ku e shet”, thotë një banor. “Çdo banor këtu po ta pyesësh i ka në shtëpinë e tij 500 kilogram vaj ulliri pasi nuk ka patur ku ta tregtojë”, shprehet një tjetër banor.

Vështirësitë kanë detyruar banorët ta braktisin vendlindjen. “Fshati sot ka humbur. Ka qenë më i lulëzuar, me popullsi të jashtëzakonshme, kënaqeshim kur kalonin fëmijët këtej për në shkollë, në këmbë venin por kishin lezet”, thotë një banor.

“Mund të ketë lëvizur rreth 70 për qind e fshatit”, thotë një banor. “Jo jo, të rinj nuk kanë mbetur më. Kemi në çdo shtëpi nga dy pleq”, thekson një tjetër banor.

Ashtu si Treblova janë të shumtë fshatrat në Shqipëri që po shkretohen dita-ditës. Mungesa e infrastrukturës, ujit, shëndetësisë e arsimit janë arsyet kryesore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *