Edmond Papa u ekzekutua si hakmarrje për “Sançon”? Del fotoja e Albano Velos me Aleksandër Sadikajn, roli i tij në krim


Janë zbardhur detaje të reja nga zbardhja e atentatit të 16 Dhjetorit ku u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa në hyrje të një lokali në zonën e Selitës në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se nga kamerat e sigurisë policia ka mundur të dokumentojë se ekzekutori (shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë) ka parkuar makinën tip Smart në afërsi të lokalit. Pasi ka kryer ekzekutimin është larguar me Albano Velon me Audi A4.

Më pas Albano Velo është larguar drejt Francës,  ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është kthyer disa ditë më pas dhe ka marrë makinën tip Smart për tu larguar në drejtim të paditur.

Burime bëjnë me dije se Albano Velo ka patur rolin e vëzhguesit të Edmond Papës, i cili është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë nga autorët.

Mësohet se Albano Velo është arrestuar në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2023, në kushte te flagrancës në aeroportin “Nënë Tereza” sapo po kthehej nga Franca.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar atij ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg”, teksa Albano Velo ka mohuar përfshirjen në krim.

Pistat e hetimet:

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se deri më tani janë dy pista hetimi, teksa është përjashtuar mundësia e lidhjes së kësaj vrasje me atë të tre ditëve më pas në Greqi.

Njëra pistë është ajo e prishjes së pazareve të drogës dhe tjetra ajo e hakmarrjes për vrasjen e Aleksandët Sadikajt, ku dyshohet se ka qenë i përfshirë Edmond Papa.

Aleksandër Sadikaj, i njohur ndryshe si “Sanço”, u eliminua me bombë me telekomandë, teksa po udhëtonte me makinë në aksin Tiranë-Elbasan qershorin e kaluar, në dalje të kryeqytetit.

Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe Sadikaj janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së këtij të fundit. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë.

Po ashtu, Albano Velo ka qenë shok me Aleksandër Sadikajn, siç shihet dhe në foton e mëposhtme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *