Xhelozia duket se ishte motivi që “armatosi” dorën e një 25-vjeçari, i cili vrau partneren e tij 19-vjeçare në Pire, sipas informacioneve, të dy me origjinë shqiptare.
Një vrasje e re që do t’i shtohet listës së gjatë të viktimave që patën vdekje të tmerrshme nga duart e partnerëve apo bashkëshortëve të tyre.
Sipas informacioneve të enikos. gr, 19-vjeçarja ka shkuar mbrëmjen e së premtes në shtëpinë e 25-vjeçarit, dhe ky i fundit i ka bërë një skenë xhelozie e për pasojë kanë nisur të grinden ashpër.
Situata doli jashtë kontrollit dhe 25-vjeçari mori armën dhe e qëlloi. 19-vjeçarja ra e vdekur dhe partneri i saj e la në shtëpi. Pas vrasjes, i riu udhëtoi me makinën e tij gjithë natën.
Paraditen e së shtunës ai është paraqitur në Komisariatin e Pireut, ku i ka treguar policisë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe arsyen pse e ka vrarë partneren e tij.
Thuhet se ai pranoi se ishte shumë xheloz për të dhe se ata shpesh grindeshin. Ai raportohet se ka qenë gjithashtu nën ndikimin e kokainës dhe nuk e kuptonte se çfarë po bënte.
Ai u ka treguar se 19-vjeçarja ka vdekur në shtëpi dhe menjëherë policia ka shkuar në vendngjarje.
Të tronditur nga krimi janë miqtë dhe kolegët e çiftit. 19-vjeçarja punonte në një lokal në Kallithea dhe 25-vjeçari në një lokal në Troumba.