“Vllau ka mendu që m’kan vra mu…” – Deklarata e “Kobrës” në Gjykatë


Në seancën paraprake në Gjykatën Themelore në Prizren, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”, i cili dyshohet për vrasjen e së martës në Prizren, tha se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin kritik, por erdhi më pas, ngase dikush i kishte thënë se e kanë vrarë atë (Hoxhën).

Ai tha se pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Nexhat Elshani, ndërsa theksoi se i pandehuri Enver Amrallahu në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por i njëjti ka ardhur pasi është informuar nga dikush lidhur me ngjarjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha.

Hoxha tha se Armallahu ka ardhë pasi kishte marrë informacione se ai (“Kobra”) është vrarë.

Seanca është duke vazhduar me deklarimet e palëve të tjera.

Ndryshe, sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *