Kush është “VIP”-i i dytë që pastruesja i vodhi mbi 400 mijë Euro në Tiranë?


“Pastruesja e parave” të “VIP”-ave në Tiranë është kryefjalë e medias në Shqipëri.

E arrestuar dy ditë më parë bashkë me djalin Rozeta dhe Havier Dobi sot janë lënë në burg pa afat. Policia ka dhënë dy njoftime për arrestimin dhe sekuestrimin e shumave marramendëse, por pa treguar kush e bëri denoncimin.

Megjithatë, njëra prej tyre është Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit të Arben Ahmetajt, që tashmë është pjesë e AMF-së. Në duart e policisë janë mbi 524 mijë euro, mijëra dollarë dhe miliona lekë shqiptare.

Por pjesa kryesore e tyre janë pa zot. Ish-zyrtarja e lartë në Kryeministri pohoi se shuma që ajo ka humbur është vetëm 120 mijë euro, që u sekuestruan në ditën e parë të kontrollit të shtëpisë së pastrueses.

Po shuma tjetër që u sekuestrua në ditën e dytë 404 mijë Euro? Akoma nuk u ka dalë zoti. Pikërisht, saktësimi i shumës së vjedhur në banesën e ish-zyrtares është bërë objekt debati në seancën e masës së sigurisë.

Kjo për faktin se vetë Klosi në denoncimin e saj ka pretenduar vjedhjen e gati 120 mijë eurove dhe bizhuve të çmuara. Para oficerëve të policisë, ajo ka pohuar se 120 mijë eurot i kishte para të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait, që jetonin në Amerikë e se do t’i përdorte për problemet e tij shëndetësore.

Po mbi 400 mijë euro ku u vodhën? Policia dhe prokuroria ende nuk ka një përgjigje. E vetmja gjë e sigurt është që Rozeta Dobi pastronte edhe shtëpi të tjera të zyrtarëve të lartë. A i ka vjedhur në shtëpi të tjera?


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *