Epiqendra e saj në Elbasan/ Çfarë është ‘Dita e Verës’, festa pagane shekullore e shqiptarëve


Dita e Verës është festa më popullore e mbarë shqiptarëve. Është një ditë që i bashkon të gjithë pa dallime shoqërore, fetare, race, bindje dhe origjine. Ka origjinë mjaft të lashtë, atëherë kur njerëzit i besonin perëndive shumë shekuj para se të lindëte krishtërimi. Diana Candeviensis ishte njëra prej tyre, ajo që simbolizonte ardhjen e pranverës, gjelbërimit mirësisë dhe begatisë. Ndaj adhurohej nga të gjithë. Kryeqendra ishte Çermenika e më vonë u bë Valmi, Elbasani i sotëm.

Sipas kalendarit Julian kremtohej më 1 mars dhe sipas kalendarit Gregorian, më 14 mars. Është një festë mbarëshqiptare, që kremtohet nga Veriu në Jug me rite që dallojnë secilën krahinë, por që kanë të njëjtën ide, adhurimin ndaj natyrës. Në kalendarin diellor iliro-shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), ka vetëm dy stinë, verë dhe dimër, dhe stinët nisin me ekuinokset në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor.

Çfarë është Dita e Verës

Konica: Është festë e lumturisë së ëmbël. Të mos humbasim këto festa të racës sonë!

Përshkrimin më përqasës për kuptimin e festës e ka konceptuar shkrimtari ynë i madh Faik Konica. “Dita e Verës është festa në të cilën stërgjyshit tanë, kur skish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shlegjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rast të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.

Dita e Verës, rituali

Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Dianë, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan në katër faza Festën e Ditës së Verës. Faza e parë është faza përgatitore që nis me grumbullimin e zaireteve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis më 13 mars, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis më 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit. Në vigjilje të natës së Ditës së Verës çdo shtëpi e këtij qyteti është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sythëve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë.

Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk . Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër të cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë të vjetra të shoqëruar me guzhinën me nam të Elbasanit. Disa nga gjellët, që nuk i gjen në vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjatë kësaj nate fillon të ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit më të afërm. Mëngjesi është jashtëzakonisht i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët më 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe tё del e liga. Ata lajnë sytë me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte dhe më pas pinë ujë në “bukën e derrit” që është një zhardhok që gjendet nën tokë në zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji në “bukën e derrit” simbolizon një vit të shëndetshëm. Më pas nisin vizitat tek të afërmit ku djali më i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Pikniku nis në orën 10.00. Por vitet e fundit aktivitetet për rastin e festës nisin një orë më parë. Në piknikun e Ditës së verës elbasanasit lënë qytetin dhe u drejtohen pikave turistike në Byshek, Gjinar, Gurrën e Labinotit, Ullirit të Qefit, Kroit të Kalit, Çezmes së Lepurit, Ujit të Ftohtë në Labinot etj.

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohësh elbasanasit njihen si bahçevanës me nam dhe këngëtarë të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasurua me trëndafila dhe karafila të ardhur nga disa vende të Botës nga Egjypti deri në Hollandë. Gjatë natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Këngë të tilla si ” Një lulishtë me trëndafila”, Çu dëshiruesh me të pa, ” Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, ” Si bilbili në pranver” etj, këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare. Pikniku shtrohet në natyrë dhe aty shijohen gjellët dhe frutat karakteristike të zonës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *