Burimi i Prokurorisë: Vis Martinaj është vrarë, në pritë e nxori një femër


Një triller vere, apo fundi tragjik i një personazhi ikonik të botës së krimit në Shqipëri, i një perandorie, që ka sunduar krimin në 20 vitet e fundit, zhdukja e të cilit, nëse hamendësimet rezultojnë të vërteta, mund të ketë sjellë njëherë e mirë edhe rokadën e madhe në hierarkinë e malavitas shqiptare; lajmit më të bujshëm të kronikës së zezë, së verës; atë të zhdukjes së pa gjurmë të Ervis Martinaj, të ashtëquajtuarit ‘Mbretit të Lojërave të Fatit’ në Shqipëri.

Por cili është fati i patriarkut shqiptar të kumarit?

A është vrarë ai në të vërtetë nga armiqtë e tij, apo kemi të bëjmë me një inskenim nga po ai vetë, në një tërheqje përfundimtare nga skena?

Cilat ishin orët e tij të fundit, dhe cili ishte mesazhi që mbërriti nga Dubai i çunave problematikë shqiptarë?

Pse askush deri më tani, nuk e ka ekspozuar trofeun më të madh të gjahut të verës, nëse në të vërtetë është vrarë nga armiqtë e tij?

Ku fillon dhe përfundon legjenda e zhdukjes së personazhit, që tashmë me humbjen e gjurmëve të tij, mund ta kthejë atë në një mit të pavdekshëm të botës së krimit.

10 Gushti, nuk do të ishte një ditë e qetë për Policinë e Kurbinit.

Pa e marrë veten ende, nga atentatet e rënda që kishin trazuar jo pak këtë komunitet të vogël policor në mesin e veriut të vendit, një tjetër lajm, ai i rrëmbimit dhe zhdukjes nga rivalët të Ervis Martinaj, vuri në alert edhe njëherë këtë komisariat dhe bashkë me ta edhe zyrtarë të policisë së Lezhës.

Informacion që thuhet se erdhi nga një burim konfidencial dhe që pasonte një sërë atentatesh të rënda që kishin trazuar keq verën, ku në shënjestër të plumbave kishin qenë miqtë dhe njerëzit e afërt të Martinaj, burim konfidencial, që linte të dyshohej se një femër misterioze, kishte nxjerrë në pritë njeriun më të famshëm të krimit në Shqipëri, ndërsa rrëmbimi mendohej se ishte kryer në Durrës.

Dosja Hetimore

“Më datë 10 gusht 2022 shërbimet e policisë së Drejtorisë Vendore Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin kanë marrë informacion nga një burim konfidencial se shtetasi Ervis Mustafa Martinaj i datëlindjes 6 tetor 1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Kurbin, dyshohet se është rrëmbyer dhe ekzekutuar nga kundërshtarët e tij pasi është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë nga një femër në proces verifikimi. Sipas të dhënave të administruara në rrugë operative, dyshohet se Ervis Martinaj mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe më pas të jetë vrarë nga persona të paidentifikuar”.

Ky ishte informacioni i parë që lajmësi sekret u ofroi drejtuesve të policisë së shtetit. Emri i të cilit me shumë gjasa nuk do të bëhet i ditur kurrë, por që do të vinte në lëvizje policinë.

Në përpjekje për të hedhur dritë mbi atë çfarë mund të kishte ngjarë me Martinaj, orë të ethshme telefonatash mes të zyrtarëve të lartë të policisë dhe zbarkimit të forcave të shumta operacionale në Fushë Kuqe të Kurbinit, aty ku deri më parë jetonte bosi tashmë i humbur i lojërave të fatit.

Orë të gjata, ku në dyert e policisë së Kurbinit, trokiti edhe Faik Martinaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *