Pamjet e fundit të Ervis Martinajt/ Një vajzë e njohur e ekranit e shoqëron gjatë gjithë kohës (VIDEO)


Orë të tëra filmime zbardhën ndërkohë të gjithë dinamikën e lëvizjeve të Ervis Martinajt në arrati, por edhe të personazheve që e shoqëronin.

Një personazh që padyshim do ta kishte të vështirë të lëvizte dhe t’i ruhej armiqve të shumtë pa ndihmën e miqve të tij. Këtë herë, edhe brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Efektivë policie të inkriminuar të cilët i kishin shërbyer me besnikëri, edhe kundrejt pagesave të majme me të cilat Ervis Martinaj, i doroviste kohë pas kohe.

I tillë do të ishte edhe zbulimi i Jeton Lamit.

Agjenti i Forcave Operacionale, i cili thuhet se shoqëroi, ndihmoi dhe transportoi Ervis Martinajn, gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim nga policia.

Agjenti që bënte një rol të dyfishtë, por që u zbulua në praninë e Ervis Martinaj dhe të një vajze të re, teksa hynin në një hotel në Durrës, natën e 5 gushtit.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga ‘Në shënjestër’, Ervis Martinaj shfaqet në kamera në praninë e oficerit të Operacionales më datë 5 gusht në orën 21:15 të mbrëmjes në një nga hotelet e njohura në zonën e bregdetit.

Bashkë me Martinajn, në pamje vihet re edhe një vajzë e njohur e ekranit e cila e shoqëron përgjatë gjithë kohës. Vajza që më pas u konfirmua se ishte një figurë publike, fituese në një nga ekspozetë më të mirënjohura të bukurisë në Shqipëri.

Siç do të tregojnë edhe më tej filmimet e kamerave të sigurisë në hotel, fillimisht, gjatë kësaj kohe oficeri Lami, hyn në hotel dhe rezervon një dhomë me emrin e tij, ku lë dhe numrin personal të telefonit.

Pas këtij momenti, oficeri i policisë, largohet nga hoteli dhe kthehet aty të nesërmen, ku dallohet teksa merr me makinë Martinajn dhe vajzën që e shoqëronte.

Zbulime që do të çonin grupin hetues në një tjetër rrjedhë ngjarjesh, të cilat përmbysnin njëra-tjetrën.

Mikesha e Martinajt

“Hera e fundit që jemi takuar ishte mbrëmja e datës 5 gusht, ku kemi shkuar në një hotel në Durrës. Atë mbrëmje kemi qëndruar ne hotel dhe jemi larguar të nesërmen. Edhe në dy ditët në vazhdim, pra deri më datë 7 gusht kam pasur kontakte me të. Më pas kemi shkëputur çdo komunikim.

Me Ervisin jam njohur në fillim të vitit 2022. Nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur më të dhe për cilat arsye”.

Data 7 gusht duket se ka qenë edhe kontakti i fundit i Ervis Martinajt me vajzën që shoqërohej.

Ndërkohë që familjarët e Martinajt, japin datën 9 gusht në mbrëmje, si kontaktin e tyre të fundit me të afërmin e raportuar të zhdukur.

Por ndërsa grupi hetues kishte në duar prova të reja mbi fatin e Martinaj, paralelisht nisi punën edhe për ngushtimin e darës së rrethit miqësor me të cilin personazhi më i shumëkërkuar i momentit ishte parë të lëvizte së fundmi.

I pari që u ndalua ishte agjenti i Forcave Operacionale, Jeton Lami.

Personi i fundit që u pa në të gjallë me Ervis Martinaj, disa ditë para se ky i fundit të raportohej i zhdukur. Jeton Lami u arrestua më 23 gusht 2022. Atij iu vendosën prangat në zyrën e shefit të tij.

Në fillim ai u pyet për lëvizjet e fundit që kishte bërë dhe ndër të tjera nëse kishte qenë në Durrës, gjatë muajit të fundit.

Lami pranoi se kishte qenë në këtë qytet me familjarë të tij, por mohoi të ishte shoqëruar me persona të shpallur në kërkim nga policia.

Po kështu ai iu përgjigj në mënyrë mohuese pyetjes, nëse kishte pasur kontakte me Ervis Martinaj.

Është ky momenti, kur agjentit të operacionales iu vu në dispozicion një video, ku ai shfaqet brenda një hoteli në qytetin e Durrësit, në praninë e të shumëkërkuarit nga Prokuroria e Posaçme, ne kuadër të Operacionit ‘Plumbi i Artë’.

DOSJA HETIMORE

“Policia ka bërë këqyrjen e pamjeve filmike të hotelit në Durrës ku rezulton se në datat 5 dhe 6 Gusht 2022 në këtë hotel ka qenë Ervis Martinaj i cili shoqërohet nga shtetasi Jeton Lami dhe një e njohur e tij. Jeton Lami në ambientet e këtij hoteli rezervon dhomën për shtetasit Ervis Martinaj dhe të njohurën e tij.

Ashtu siç e theksuam edhe më herët, ajo që do ta fundoste dëshminë e efektivit Jeton Lami, do të ishin pamjet filmike të hotelit ku shfaqej në praninë e Ervis Martinaj”.

Teksa Jeton Lami, ndodhet pas hekurave të qelisë, ky i fundit nuk ka pranuar të flasë më shumë për ditët e fundit të kaluara me Ervis Martinaj.

DOSJA HETIMORE

“Nga veprimet e kryera vlerësojmë se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Jeton Lami me funksion N/Specialist në Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale për Hetimin dhe Kërkimin, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Jeton Lami ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, për kapjen e personit në kërkim ndërkombëtar, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti mbi bazën e vendimit të Gjykatës.

Lami ka kontaktuar fizikisht personin në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj, nuk ka marrë asnjë masë për kapjen e tij dhe nuk ka vënë në dijeni eprorët e tij për këtë fakt, madje e ka shoqëruar, ka qëndruar me të, e ka ndihmuar të strehohet në hotel etj”.

Por ndërsa grupi hetimor kërkon të gjejë shtigje të reja drejt zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e Ervis Martinaj, duket se humbja e tij pa gjurmë, është e mbuluar nga një tis mjegulle që vazhdon të qëndrojë pezull mbi ngjarjen.

Ndërsa Policia është në kërkim të autorëve të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij., një ndër këto dyshime lidhet edhe me hasmëritë që Ervis Martinaj, kishte krijuar kohë pas kohe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *