Nga Adriana Mile – Teksa e shikon ashtu trupvogël, të imët dhe djalë të urtë, askush nuk e beson se pas tij fshihet “bossi i luleshtrydhes shqiptare”.
Quhet Olsi Hamataj nga fshati Kafaraj Fier dhe sot është plot 29 vjec. Udhëtimi i tij drejt këtij “froni” ka nisur në vitin 2014, atëherë kur ai ishte vetëm 22 vjeç, kur me një hua bujare prej 150 mijë eurosh nga pronari grek, ai ngriti ëndrrën e tij në Kafaraj të Fierit.
6 vite me vonë, Olsi Hamataj është mbreti i “industrisë” së luleshtrydhes shqiptare në gjithë ciklin e mbyllur të saj: që nga fidanët, plehrat, agregatet bujqësore, grumbullimi, eksportimi dhe përpunimi në industrinë e reçelnave.
Por si bë mbret i luleshtrydhes shqiptare i riu nga Kafaraj e Fierit?
Historia
Në vitin 2003, kur ishte veçse 11 vjeç, Olsi merr rrugën e emigrimit në Greqi. Teksa vazhdonte shkollën për hidraulik, fati e donte që shumë pranë të kishte një fidanishte me luleshtrydhe. Fillimisht shkoi si një punëtor i thjeshtë që ngarkonte arka me luleshtrydhe.
Shumë shpejt, i “vjedh” zanatit të kultivimit të luleshtrydhes gjithë të fshehtat e tij, dhe pas pak kohësh, falë punës dhe përkushtimit, ai fiton zemrën e pronarit grek, i cili i beson menaxhimin e gjithë proceseve të punës në fidanishte, madje edhe të fuqisë prej 400 punëtorësh. I besoi gjithçka.
Olsi tregon se aty shikonte shumë shqiptarë që blinin luleshtrydhe, të cilat i çonin në Shqipëri përmes peripecish të shumta në doganë.
“Aty më nisi ideja që të kthehesha në Shqipëri dhe ta kultivoja vetë luleshtrydhen në Shqipëri. Pata ndihmën e jashtëzakonshme të pronarit grek, i cili jo vetëm që i tha “ok” vizionit tim, por edhe më ndihmoi me një shumë eurosh që askush nuk t’i beson.
Kështu, në vitin 2014, u ktheva në Shqipëri dhe, me ndihmën e pronarit grek, nisa aktivitetin e shitjes së fidanëve të luleshtrydhes në Shqipëri, kultivimit dhe tregtimit të saj. Unë kam qënë i pari (bashkë me një tjetër) që kam sjell fidanët e luleshtrydhes në fshatin Kafaraj. Mes vështirësive të para, arrita të mbledh shumë shpejt frytet e punës: të shlyeja “borxhin” mikut tim grek dhe të nxirrja fitimet e para.
“Askush nuk e di, që falë atij grekut dhe sakrificave të jashtëzakonshme të mia, unë arrita të kurorëzoj një biznes shumë të suksesshëm. Sot, unë sundoj një cikël të plotë të luleshtrydhes në të gjithë fshatin Kafaraj që njihet si fshati i luleshtrydhes shqiptare.”
Në moshën 22 vjecare, Olsi Hamataj, nisi eksportin e luleshtrydhes jashtë vendit. Asnjë doganierë vendas dhe i huaj nuk e besonte, që pas atyre mauneve të mëdha nëpër dogana qëndronte një djalë i imët, 22 vjec, që në fakt ishte “bossi” i suksesshëm i luleshtrydhes së Kafaraj.
“Sot kam arritur jo vetëm që të mos shkoj në dogana, por të më hapen dyert e eksportit të luleshtrydhes së Kafaraj kudo. Sot luleshtrydheja e Kafaraj eksportohet në të gjithë Evropën
Pas 6 vitesh punë të jashtëzakonshme, që nga viti 2014 deri më sot, unë zotëroj të gjithë ciklin e mbyllur për fermerin: duke filluar që nga fidani i luleshtrydhes, plehrat kimike, mbjellja, punimi, makinertë, plastmaset, plehrat kimike, grumbullimi, shitja e luleshtrydhes deri tek përpunimi i saj në industrinë ushqimore të recelnave. Fermerët e mi e fillojnë me mua me ndërtimin e serave me plastmase, agregate, etj., deri në 31 qershor që ne e mbyllim sezonin e luleshtrydhes. Unë jam me ta për cdo gjë.”
Olsi tregon se Kafaraj e nisi në 2014 nga zero kultivimin e luleshtrydhes, ndërsa sot ajo është fshati kampion i luleshtrydhes me një sipërfaqe prej gati 130 hektarësh të mbjellë me këtë frut kaq të cmuar për ekonominë e tyre familjare. Është i bindur se mot, kjo sipërfaqe do të jetë edhe më e madhe, pasi fermerët e Kafaraj gjithnjë e më shumë po investojnë në këtë biznes kaq fitimprurës.