Durrës- Dalin detaje të tjera rreth fatit të Ervis Martinajt. Disa përgjime telefonike përmendin këtë të fundit. Kontrollet e Policisë së Shtetit dhe të Forcave Speciale RENEA, kanë zbuluar gjurmë të reja që duket se do na çojnë drejt zbardhjes së “misterit”. Të gjitha të dhënat, nga kontrollet në Tiranë, Shijak, Durrës dhe Vlorë u zbuluan nga “kontrollet” në bazat e miqve të tij, por edhe në zonat e kundërshtarëve e tij. Gazetarja Klodiana Lala përmend emra, duke pretenduar se RENEA, pak ditë më parë ka qenë në banesën e fisit Avdylaj në Shijak, ku u kryen kontrolle e u morën disa sende të dyshimta. Por këto të fundit nuk janë përcaktuar.
Pak kohë më parë, në emisionin “Inside Story” thuhej se Policia dyshonte se Ervis Martinaj kishte shkuar në Shijak për të lidhur aleancë me një grup të fuqishëm të zonës. Por kishte burime të tjera se 40-vjeçari mund të ishte shitur te grupet rivale.
Këto dyshime mbështeten edhe në transkriptet e bisedave mes personazheve të botës së krimit që disponohen nga autoritetet ligjzbatuese.
BISEDAT ME MESAZHE:
“Mos ti kishte thënë për V. Do ishte gjallë akoma. Hajde i kishin thënë e kam gati. Ky peshku kishte vajt. Dhe e kishin marrë peng. E kan hedh në det. Ca peshku. Atë e kanë humb atë natë”.
“Ka festuar se i kanë nis fotot”.
“Janë bërë bashkë të gjithë. Tani këtë herë e kanë bërë për V…”
Por edhe këto biseda, janë duke u verifikuar nga Prokuroria dhe ende nuk është faktuar nëse informacionet janë të sakta.
Por është zbuluar edhe një detaj tjetër. Ndryshe nga çfarë u raportua zyrtarisht nga Policia, burime për Reporttv pretendojnë se disa net më parë Endrit Dokle u shoqërua për të dëshmuar edhe njëherë për konfliktin e tij me Martinajn, të cilin ish-anëtari i bandës së Durrësit e mohon.
Pas zhdukjes së Martinajt, Dokle u pyet edhe më parë për masakrën e Fushë Krujës, ku vdiq kushëriri i Martinajt, por mohoi çdo gjë. Edhe pse Nuredin Dumani, pretendon se Martinaj i kishte dhënë porosi vriste Doklen për 500 mijë euro, ai sërish nuk e bëri, madje shtoi se donte t’i fuste edhe vetë në konflikt të dy palët.
Bashkë me të, po për këtë masakër u kërkuan për t’u marrë në pyetje edhe Fatjon Murati e Gentjan Reçi, të dy miqtë e tij. Por vetëm një javë para se të ndaloheshin nga Policia e Tiranës në shoqërinë e Dokles dhe familjes së tij, Reçi dhe Murati ishin paraqitur vullnetarisht në Komisariatin e Fushë-Krujës. Dëshmuan dhe më pas u lanë të lirë.
Ç’po ndodh me Ervis Martinajn?
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë.
Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media,
Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.