Në dashuri, sidomos në fazën e shoqërimit, trupi komunikon shumë më tepër se fjalët. Mbi të gjitha, ndërsa gjuha verbale mund të jetë një mjet për keqkuptimet, fshehtësinë dhe madje edhe gënjeshtrat, gjestet dhe shikimet gjithmonë tregojnë mendimet e personit. Por, sigurisht, me kusht që të dini t’i lexoni ato.
Lëvizjet e trupit udhëhiqen nga e pandërgjegjshmja dhe shpesh nuk janë veprime të vetëdijshme: për këtë arsye edhe disimuluesit më të thekur mund të bëjnë pak për t’i kontrolluar. Le të zbulojmë më të zakonshmet nëse djali i bukur, që po synojmë, tregon interes dhe tërheqje ndaj nesh. Para së gjithash duhet të kujtojmë se gjuha e trupit të mashkullit është më e thjeshtë dhe më pak e pasur me sinjale sesa ai i femrës, por ndërkohë shumë më i drejtpërdrejtë dhe esencial.
Sinjalet e pëlqimit
Nëse bashkëbiseduesi ynë e çmon shoqërinë dhe bisedën tonë, do të tentojë të lëvizë trupin, duke u afruar drejt nesh. Lëvizja mund të jetë minimale dhe mezi e perceptueshme, por është një sinjal i rëndësishëm. Një shenjë tjetër e pëlqimit është gjesti i prekjes së flokëve dhe madje edhe më shumë përpjekja për të hyrë në kontakt me trupin tonë, për shembull duke prekur një krah apo një dorë. Kur ai nuk mund të na prekë, do të përpiqet të prekë objektet tona. Nëse duam ta lehtësojmë guximin e tij në marrjen e iniciativës, ne shmangim uljen përballë tij, për shembull në një tavolinë në lokal: më mirë të zgjidhni vendndodhjen pranë tij dhe të mos vendosni sende ndërmjet jush si kuletë, syze ose të tjera, për ta ndihmuar atë në këtë kontakt (ose për ta vendosur atë vetë). Shenjë tjetër e pëlqimit të meshkujve janë përkëdhelja e mjekrës, prekja e buzëve me një gisht ose prekja e veshit. Edhe qëndrimi i drejtë me gjoks jashtë është zakonisht një shenjë e pëlqimit.
Kujdes, diçka nuk shkon!
Nëse ai e prek hundën me gisht ose pëllëmbën e dorës, është një ide e mirë për të bërë një kthim të shpejtë: është një shenjë e rëndësishme e refuzimit. Ndoshta, ai është i shqetësuar nga sjellja jonë ose nga diçka që kemi thënë. Më mirë të ndryshojmë rrugën menjëherë! Shenja të tjera të rrezikut janë gjesti i tërheqjes mbrapa, qoftë edhe distanca mes tij dhe nesh, ose vendosja e krahëve në gjoks si shenjë e mbylljes. Gjërat shkojnë keq edhe në qoftë se ai fërkon kokën ose ha thonjtë: këto janë të gjitha shenja nervozizmi dhe parehatie.
E qeshura
E qeshura është një mënyrë e rëndësishme për të transmetuar emocione dhe për të çliruar tensionin emocional. Buzëqeshja gjithmonë është një shenjë pozitive, veçanërisht nëse shoqërohet nga një vështrim i zgjatur disa momente, pasi mbarojmë së foluri. Është gjithashtu sinjali se momenti është i këndshëm. Por, nëse e qeshura shoqërohet nga një kthim mbrapa i trupit, kjo është një shenjë e shqetësimit dhe rrezikut. Nëse në vend të kësaj, lëvizja është përpara në drejtimin tonë, gjithçka po shkon mirë.
Shikimi
Gjithçka po shkon mirë nëse ai po na shikon në sy, ndërsa nëse shmang shikimin në sy, ka diçka që nuk shkon. Nëse vëmendja e tij përqendrohet te buzët tona, sinjali është i qartë: ai vdes nga dëshira për të vjedhur një puthje. Nëse ai me të vërtetë ka simpati për ne ose madje është i dashuruar, sytë e tij e thërrasin me zë të lartë vëmendjen dhe fiksimin ndaj nesh, si kur flasim dhe kur dëgjojmë, të tejmbushur me adhurim. Nëse gjatë bisedës, ai i mban sytë poshtë, ka shumë gjasa që po na gënjen.