“Turp të keni, jeni copa mu**”, i pabesueshëm shpërthimi i trajnerit në Torino-Milan (Video)


Goli i Messias në minutën e 67-të rihapi ndeshjen Torino-Milanin dhe shkaktoi reagimin e furishëm të Ivan Juric, i cili u përjashtua me karton të kuq nga arbitri Abisso.

Në rezultatin momental 2-0 për “granatat”, anësori kuqezi gjeti golin, por lojtarët dhe stafi i Torinos sfiduan rregullsinë e tij. Messias shtyu Buongiorno-n, arbitri nuk vërshëlleu për faull.

Edhe VAR-i nuk ndërhyri, duke provokuar tërbimin e Juric në pankinë ndaj trupës arbitrale: “Turp të keni, copa m…” Kjo shfryrje dufi ndaj “bluzave të zeza” solli edhe përjashtimin e tij me karton të kuq. Megjithatë, skuadra vendëse ia doli të fitojë 2-1 dhe të trondisë kuqezinjtë, kampionët e Italisë në fuqi, në rrugëtimin e tyre ndjekës të kreut. Nga kjo ndalesë e “Djallit”, me siguri festoi Torino, por fërkoi duart edhe Napoli, që kryeson i vetëm.

Por çfarë ndodhi saktësisht për ta zemëruar Juriç jashtë mase? Më shumë se “bilbili” i munguar i Abisso në kohë reale, ishte mungesa e ndërhyrjes së VAR-it. Messias dhe Buongiorno, të dy ndjekin topin pranë këndit të djathtë të zonës së “granatave” kur braziliani, paksa i pafavorizuar me mbrojtësin, përpiqet të mbrohet me trupin e tij, por e shtyn kundërshtarin nga pas.

Një prekje që çekuilibron lojtarin vendas, por edhe nxjerr blof Milinkovic-Savic që ndodhej dy hapa larg, me Messias që shfrytëzoi rastin për ta futur topin në rrjetë. Nëse jo në kohë reale, të paktën me përdorimin e pamjeve të ngadalta në VAR, gjithçka duhej të ndalohej dhe anulohej. Për këtë, Juric mori fillimisht kartonin e verdhë nga arbitri Abisso, për protest.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *