“UFO-n” e mori në qafë fiksimi për mjekrën, Ilir Paja u arrestua te berberi


Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja mbi arrestimin e 49-vjeçarit Ilir Paja, i cili u kap dy ditë më parë në zonën e Laprakës dhe njihet me nofkën “UFO” për shkak të arratisjeve të bujshme nga burgjet e sigrusië së lartë në vendin p?7rtej Adriatikut.

Ato raportojnë se agjentët e Interpolit dhe të njësisë Fast, kishin survejuar për disa kohë sjelljen e Ilir Pajës, dhe kishin mësuar se ai shkonte periodikisht tek një berber për shkak të fiksimit të tij për mjekrën.

Pikërisht sapo ka hyrë në ambientet e këtij shërbimi, mbrëmjen e 3 nëntorit, Ilir Pajës i janë vënë prangat nga agjentët e policisë të cilët e kanë bllokuar menjëherë duke mos i lënë asnjë mundësi veprimi.

Mediat italiane raportojnë se operacioni është realizuar me shumë kujdes, pasi policia priste që 49-vjeçari mund të kundërpërgjigjej në mënyrë të rrezikshme siç ka bërë gjatë përballjeve me forcat e rendit në Itali dhe Shqipëri disa herë.

Sot Ilir Pajës iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, teksa tashmë pritet që drejtësia të vendosë nëse do ta ekstradojë të kërkuarin në Itali apo do të transferojë në Tiranë dosjen e tij për ta gjykuar.

Por kush është Ilir Paja?

Ai u lirua nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha në vitin 2017, me argumentin se vuante nga disa sëmundje, ndonëse kishte edhe një vit burg për të shlyer.

Ilir Paja vuante një dënim për “plagosje të rëndë me dashje” të policit Blendi Haxhimiali, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë. Paja u akuzua dhe për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.

Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg.

Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.

Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur.

Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish. “UFO-ja” qëndroi 10 vite në qeli deri ditën që u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha.

Gjiashtu, ai është akuzuar dhe si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *