Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Grida Duma ka vendosur të lërë mandatin që mori një vit më parë në zgjedhjet e 25 prillit.
Lajmin që nisi të qarkullojë nëpër media që dje, Duma e ka konfirmuar sot në një konferencë për shtyp në ambientet e kryesisë së Kuvendit, për shkak se do t’i përkushtohet një projekti televiziv, duke drejtuar një emision në ‘Top Channel’.
Pas kësaj lëvizje, vendin e saj në parlament sipas listës së rezultateve të KQZ e zë kandidatja më e votuar për qarkun e Tiranës, ku rezulton të jetë prezantuesja e njohur Ori Nebiaj, e cila ka marrë 5 599 vota.
Burime të Politiko.al bëjnë me dije se Nebiaj do të refuzojë mandatin e deputetes dhe do të vijojë me projektin aktual, drejtimin e emisionit ‘Përputhen’ në Top Channel.
Nëse Nebiaj zgjedh televizionin para angazhimit në politikë, atëherë mandati i Grida Dumës i kalon Lediana Fratarit, sërish sipas rezultatit të votimit.
Lediana Fratari është dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, njëherazi dhe vajza e biznesmenit të ndërtimit Hajredin Fratari.
Një ditë më parë mandatin e deputetit e dorëzoi edhe Alfred Rushaj. Ai u largua për shkak të angazhimeve personale, ndërsa vendin e tij do e marrë Petrit Doda.