Ekskluzive / Projektligji ‘top sekret’, basteve u përgjysmohen taksat


Në buxhetin e vitit të ardhshëm te zëri i të ardhurave Qeveria parashikon ndër të tjera 17 milionë euro ekstra nga bastet sportive, duke nënkuptuar legalizimin e tyre që prej 1 janarit.

Por, megjithëse shifra pasqyrohet në buxhet, publikisht nuk ka asnjë projektligj, draft, relacion, dokument, apo shkresë që të orientojë qytetarët dhe grupet e interesit se si do të jetë ky sektor.

Ligjërisht, projektligje të tilla duhet të qëndrojnë për të paktën 20 ditë për konsultim me publikun dhe grupet e interesit. Por, në platformën qeveritare të konsultimeve publike nuk ekziston asnjë draft i tillë.

Burime të Voxnews.al pohojnë se projektligji do të shqyrtohet në komisionet parlamentare duke nisur të hënën. Të njëjtat burime thonë se diskutimet dhe miratimi në komisione pritet që të mbyllet brenda javës me forcën e kartonit nga ana e socialistëve, për të kaluar më pas po me forcën e kartonit në seancë plenare në seancën e fundit të këtij viti. Megjithatë, ajo që burimet konfirmojnë është se kur do të miratohet, por jo çfarë do të miratohet.

‘Nuk ka një draft final të dorëzuar në Kuvend. Qarkullojnë disa variante, por s’ka një variant final’, thonë burimet e Voxnews.al.

Shqetësimin mbi mungesën e një projektligji për legalizimin e basteve sportive e ka ngritur edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Ai e cilësoi absurd faktin që në buxhet parashikohen të ardhurat nga ky sektor, por deputetët nuk kanë në dorë projektligjin.

Parashikimi i të ardhurave gjithsesi orienton se sektori do të favorizohet sa u takon taksave. Para mbylljes së basteve sportive në vitin 2018-të, të ardhur në buxhet të tyre llogariteshin deri në 40 milionë euro, ose dy herë më shumë se të taksat e parashikuara në 2023.

Për më tepër, operacionet thuajse të përjavshme të policisë sugjerojnë se sektori ka lulëzuar ilegalisht. Opozita ka akuzuar se mbyllja e basteve është bërë për të favorizuar klientë të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama.

Prej 2013-s, përpjekjet e qeverisë për të luftuar paligjshmërinë në sektorin e basteve sportive dhe lojërave të fatit kanë rezultuar të dështuar. Operacioni ‘Fundi i Marrëzisë’ nuk ndaloi këto lojëra, ndërsa në 2016-n përpjekja për të kufizuar pikat e basteve sportive përfundoi me dyfishim të tyre. Arsyeja? Një amendim i minutave të fundit i deputetëve socialistë që dyfishuan pikat për çdo licencë të dhënë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *