Pse Ervis Martinaj mbante këlysh luani? Kush e ka marrë stafetën pas zhdukjes së “mbretit”


Që prej 11 gushtit 2022, “mbreti i lotove” Ervis Martinaj është zhdukur pa gjurmë. Fati i tij mbetet mister, ndërsa hipotezat mbi zhdukjen e tij janë të shumta, që nga inskenimi deri te vrasja nga kundërshtarët e tij.

I shumëkërkuari i drejtësisë, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, ka mbajtur në shtëpi një këlysh luani. Këlyshi i Ervis Martinajt ishte bërë një destinacion “turizmi” për foto të miseve dhe të famshmëve të rrjeteve sociale, të cilat më pas i hidhnin në Instagram për shkak edhe të faktit se bëhej fjalë për një kafshë të rrallë.

Së fundmi, gazetari Artan Hoxha publikoi të dhëna në lidhje me komunikimet e fundit të Martinajt me familjen. Sipas Hoxhës dy SMS-të e fundit të tij lidhen me paralajmërimin se do të shkonte policia për kontroll dhe i dyti, që t’i jepnin ushqim luanit që kishte te vila e tij.

Por pse Martinaj mbante një kafshë të tillë? Duket se kjo ka të bëjë më shumë më një model të bosëve të mëdhenj të biznesit ose të trafikut të drogës, të cilët kanë mbajtur shpesh në banesat e tyre këlyshë luani apo tigri.

Kjo për të treguar superioritet dhe më në modë kjo ide është në vendet e Amerikës Latine, ku gëlojnë kartelet e drogës. Gjithashtu sjellim në kujtesë se edhe El Chappo, numri 1 i trafikut të drogës në botë, mbante këlyshë tigri dhe pas rënies së tij në burg, janë fëmijët që kujdesen për të.

Tigrat e El Chappos
Gazetari Artan Hoxha tha në ABC se Martinaj është vrarë pasi u “tradhtua” nga një personazh i njohur i krimit pranë Vorës. Sipas Hoxhës, Martinaj shkoi aty për të lidhur një aleancë kundër grupeve që e kishin vënë në shënjestër, por aty u shit te kundërshtarët dhe u mor nga një skuadër e veshur me uniformën e Forcave Speciale.

Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?

Policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore. Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë, se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar. Ndërkohë, versioni tjetër lidhet me një skenar në lidhje me zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej kundërshtarëve pas vrasjeve të fundit në rrethin e tij shoqëror.

Tërmeti në botën e mafias

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *