Nga shitëse rrobash në majë të Administratës/ Kush është Erisa Fero, Tik-Tokerja që u kap sot me çantat plot me drogë


Edhe Georgina Rodriguez do të çuditej nëse do të mësonte një trajektore të tillë të karrierës, si kjo e Erisa Feros, drejtoreshë e nivelit më të lartë të administratës publike, që sot rezulton e përfshirë në një grup të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut. Nëse argjentinasja u njoh me Cristiano Ronaldon kur punonte si shitëse në një dyqan Guçi në Spanjë, historia e do që Erisa ta niste karrierën e saj si shitëse në një dyqan veshjesh sportive në kryeqytet.

Dosja ka vëzhguar me imtësi trajektoren e ngritjes në karrierë të Feros, sot 28 vjeçe, ku shihet se nga puna si shitëse pranë dyqanit “A….” , e reja nga Korça ka nisur punë në vitin 2017 pranë AZRT, (Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale). Nga atje, vajza që nuk dihet se çfarë shkollimi përkatës ka plotësuar si kriter kryesor, ka kaluar tek Inspektoriati Qendror, ku ka punuar nga vitit 2019 deri në vitin 2022 si Specialiste e Teknologjisë së Informacionit.

Nga atje, Fero ka nisur punë si shefe e Sektorit IT në muajin mars 2022 pranë AKSHI, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku ka punuar deri në momentin e arrestimit.

Por kush është e reja? Nga vëzhgimi i gjurmëve dixhitale shihet se paralelisht me punën në shtet, njohuritë për teknologjinë kanë qenë të kënaqshme për të përdorur rrjetet sociale. Fero reklamonte faktin se shkonte pas partyt në punë, ndërsa nuk mungojnë dedikimet për kryeministrin Edi Rama dhe aftësitë e tij të “jashtëzakonshme”.

Ish-komisionerja e kallëzuar në Prokurori për manipulim votash sot ndodhet pas hekurave pasi në makinën e drejtuar prej saj, iu gjetën 58 kilogram marijuanë që do të kalonin në shtetin fqinj. Ndërsa arrestimi i saj ngre një tjetër çështje që qëndron në hije… Si është e formuar administrata publike? Kush punon sot në shtet? Kujt i kemi besuar institucionet dhe sigurinë tonë? A u punësua Erisa Fero falë kontributit partiak që në moshën 22-vjeçare në shtet apo në bazë të aftësive profesionale? /dosja

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *